July 17

SPAK kërkon gjykimin e zyrtares së lartë të Ministrisë së Shëndetësisë

0  comments

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të hënën më 17 korrik dërgimin për gjykim të çështjes në ngarkim të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Joana Duro si dhe të tre personave të tjerë të akuzuar për korrupsion në një tender. Duro u arrestua më 2 qershor pasi rezultoi se kishte përfituar rryshfet në vlerën 330 mijë lekë për të favorizuar shoqërinë Dricons sh.p.k në një procedurë prokurirmi.

SPAK sqaron se kjo shoqëri kishte fituar fazën e parë të një tenderi të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për LOT 1,“Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në Qarqet Tiranë dhe Durrës”, me fond limit 805 mijë lekë.

Veç të pandehurave Duro dhe Shteto akuzohen për korrupsion edhe Vladimir Topi, administratori i shoqërisë Dricons sh.p.k dhe Silvi Sheshi, inxhiner pranë këtij operatori ekonomik. Sipas SPAK, shuma e parave që ka marrë Duro, janë dhënë nga Topi, i cili akuzohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar. Ndërsa Sheshi akuzohet se, pas komunikimit me administratorin e kësaj shoqërie, ka marrë shumën e parave dhe ja ka dërguar të pandehurës Laura Shteto, e cila më pas i ka dërguar tek Duro.

“[…]Është dokumentuar fakti i dërgimit të shumës së parave prej 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga ana e të pandehurës Laura Shteto tek e pandehura Joana Duro[…]. Kjo shumë parash i është dorëzuar të pandehurës Joana Duro në zyrën e saj në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku dhe është bërë kapja në flagrancë e saj dhe sekuestrimi i kësaj shume monetare”, citohet  në njoftim.

Duro nuk është e para zyrtare e lartë e qeverisë që arrestohet pas akuzave të ngjashme. Më herët këtë vit u arrestua Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokuta me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Në shkurt u arrestua ish-zyrtarja e lartë e qeverisë, Alda Klosi, e cila akuzohet për pastrim parash. Ndërkohë, në janar të këtij viti u dënua me vendim të formës së prerë zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila u kap në përgjime telefonike duke pranuar 1 mijë euro, një telefon celular dhe një arkë peshk në këmbim të një vendi pune.

 


Tags

Alda Klosi, Arlind Gjokuta, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Joana Duro, ministria e shendetesise, Qarku Durres, Qarku Tiranë, Shkelje e barazise ne tender, Shpërdorim detyre, SPAK


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350