June 22

Verifikimi i përfaqësimit të viktimave shtyn gjyqin ndaj Fatmir Mediut

0  comments

Në një seancë të shkurtër proceduriale në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me procesin penal në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, gjyqtarja Irena Gjoka pranoi përfaqësimin e tre familjarëve të viktimave të shpërthimit në Gërdec nga avokati Dorjan Matlija, ndërsa seanca u shty për verifikimin e prokurave të 106 familjarëve të tjerë.

Të pranishëm në seancë nga 290 të afërm të viktimave apo të plagosurve në ngjarje ishin çifti Feruzan dhe Zamira Durdaj, që kanë humbur djalin në Gërdec. Po ashtu e pranishme ishte edhe Afërdita Canga, e cila ka humbur bashkëshortin.

Mediu ndaj të cilit SPAK ka ngritur dy akuza për shpërdorim detyre, për përgjegjësinë e tij në ngjarjen tragjike të vitit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona, u përfaqësua nga avokati Ardian Visha.

Gjykata pati fillimisht një ngërç në verifikimin e Cangës si familjare e viktimave. Gjyqtarja Irena Gjoka kërkoi emrin e të ndjerit dhe sqaroi se në listë mbiemri i saj rezultonte me “Ç” dhe jo “C”.

Më pas, Matlija si avokat i viktimave paraqiti listën me 106 persona dhe prokurat përkatëse. Matlija tha se nuk ishte i rëndësishëm numri dhe për ekonomi gjyqësore ishte zgjedhur kjo formë.

Prokurorët Klodian Braho dhe Arben Kraja të pranishëm në seancë kërkuan kohë për verifikimin e listës dhe lidhjet e tyre me viktimat.

Ndërkohë, avokati i Mediut fillimisht i vuri në dukje gjykatës pretendimin e tij për vendim kondradiktor në pranimin e familjarëve në proces. Ai po ashtu pretendoi se prokurat ishin të vitit 2011 dhe ngriti dyshimin nëse ato përfaqësonim sërish vullnetin e palëve.

Matlija, që u pranua si avokat për tre të pranishmit, e kundërshtoi këtë qëndrim. Ai tha se i kishte përfaqësuar këta persona në disa çështje. Matlija i tha Vishës se ata ishin përballur më herët për këtë çështje në gjyq dhe ai e dinte shumë mirë këtë.

Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për shtyrje seance. Data e seancës së re u caktua pas një diskutimi me avokatin Visha dhe prokurorët për datat e lira. Në përfundim, gjykata vendosi seancën e rradhës në 7 korrik në orën 8.30.

SPAK dërgoi për gjykim më 8 shkurt 2023 çështjen penale në ngarkim të Fatmir Mediut, i pandehur për veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për ta hetuar.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi rrëzimin e kërkesës së SPAK për rihapjen e çështjes dhe fajësoi prokurorinë për mos ushtrim të ndjekjes penale për 8 vite ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, duke argumentuar se vepra penale është parashkruar. Ky vendim u rrëzua si i pabazuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 24 shtator 2021, që i hapi rrugë procedimit të Mediut.


Tags

Afërdita Canga, Arben Kraja, Ardian Visha, Dorian Matlija, Fatmir Mediu, Feruzan Durdaj, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka, Klodian Braho, Tragjedia e Gerdecit, Zamira Durdaj


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350