June 1

Opozita konteston rezultatet e zgjedhjeve në pesë bashki

0  comments

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve po shqyrton ankesat e partive opozitare për rezultatet e zgjedhjeve vendore të 14 majit në pesë bashki të vendit, ku kontestohet rezultati i zgjedhjeve dhe kërkohet rinumërim i votave.

Bazuar në këto ankimime, KAS vendosi të enjten që të rinumërojë 3 kuti votimi të bashkisë Elbasan, duke pranuar pjesërisht kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për rihapje kutish për këtë bashki, ku u votua për herë të parë në mënyrë elektronike.

Po ashtu, KAS urdhëroi administratën e KQZ-së që të vendosë në dispozicion të palës ankuese materialet zgjedhore të KZAZ nr.47 të kësaj bashkie për të sqaruar pretendimet për mospraninë e vulave të sigurisë në procesverbalet e dorëzuara.

Koalicioni Bashkë Fitojmë pretendoi gjithashtu se kishte pasur ndërhyrje të operatorëve të identifikimit elektronik në procesin e votimit. KAS pranoi kërkesën për shqyrtimin e pamjeve filmike nga pala ankuese për të provuar këto pretendime.

Gjatë seancës së shqyrtimit, përfaqësuesit ligjorë të BF-së ngritën dyshime mbi saktësinë e rezultateve duke sjellë si provë një diferencë prej 101 votash mes numrit total të votuesve të regjistruar dhe numrit të votave në tabelat përmbledhëse, si dhe për vonesën prej më shumë se 3 orësh në shpalljen e rezultatit në votimin elektronik.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka kontesuar gjithashtu rezultatet e Rrogozhinës, Belshit, Kuçovës dhe Kamzës, për të cilat është kërkuar rinumërim votash dhe rishikim të tabelës përmbledhëse të rezultateve.

KAS shqyrtoi të mërkurën kërkesën për rivlerësimin dhe rinumërimin e votave në të gjitha qendrat e votimit të zonës zgjedhore Bashkia Rrogozhinë dhe me shumicë votash vendosi rrëzimin e saj.

Por, pas kërkesës së dy anëtarëve të KAS-it,  Elvis Çefa dhe Ledio Braho, që për nevoja të shqyrtimit administrativ të paraqiten në cilësinë e provës të gjitha kutitë e qendrave të votimit dhe vlerësimin e të gjitha fletëve të votimit për kryetar bashkie në Rrogozhinë, vendimmarrja u shty për ditën e hënë.

Për Rrogozhinën, kontestimi lidhet kryesisht për qendrën e votimit në burgun e qytetit, e cila përmbysi rezultatin në favor të kandidatit socialist.

Të hënën do të vendoset gjithashtu për hapjen e kutive të votimit për bashkinë Belsh, e kontestuar nga BF, pasi tabela përmbledhëse e rezultatit nuk është firmosur nga shumica e anëtarëve të KZAZ-së.

Në të dyja bashkitë kanë fituar kandidatët e Partisë Socialiste me diferencë të ngushtë me kandidatin opozitar.

Kontestime ka dhe për zonat ku është përdorur votimi elektronik si Kamza dhe Elbasani.

“BF” ka kundërshtuar rezultatet për zgjedhjen e kryetarin dhe këshillin në bashkinë Kamëz duke kërkuar një ekspertimin kompjuterik me ekspertë të huaj të çdo pajisjeje elektronike që është e pajisur me server për ruajtjen e të dhënave elektronike.

Në bazë të një ankese tjetër që është bërë për Kamzën nga Partia Lëvizja e Legalitetit, KAS vendosi që materialet për dy qendra votimi për bashkinë Kamëz të rivlerësohen duke rinumëruar votat.

Rezultati për bashkinë Kuçovë është ankimuar nga kandidati i BF-së, Lefter Maliqi, si dhe nga koalicioni BF, duke kërkuar rinumërim dhe pavlefshmëri të rezultateve për kryetar të bashkisë.

 


Tags

Bashke Fitojme, Bashkia Belsh, Bashkia Elbasan, Bashkia Kamëz, Bashkia Kuçovë, Bashkia Rrogozhinë, Elvis Çefa, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, Ledio Braho, Lefter Maliqi, Zgjedhje 2023


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350