Disa grusht shteti ushtarake pretendojnë se përfaqësojnë pararojën e modernizimit dhe ndryshimit. Të tjerë, si ai i Kilit në vitin 1973 dhe përpjekja e dështuar e Spanjës në 1981, ushqehen nga nostalgjia për diktaturat e kaluara. Shumica e grushteve të shtetit janë të paktën pjesërisht të nxitura nga ankesat e grupeve të fuqishme.
Kuazi-grushti i dështuar i kryekomandantit rus Yevgeny Prigozhin, nga ana tjetër, duket se është motivuar vetëm nga dëshira e tij personale për pushtet dhe prestigj. Dhe ndërsa Prigozhin dhe mercenarët e tij të Grupit Wagner e braktisën shpejt marshimin e tyre drejt Moskës, ata nxorën në pah prishjen institucionale të regjimit pretorian të presidentit rus Vladimir Putin.
Prigozhin tregoi kështu se ai është më pak një kërcënim për sundimin e Putinit dhe më shumë një simptomë e brishtësisë së tij të qenësishme. Në thelb, ai është një besnik i Putinit, i cili zhvilloi, siç tha presidenti rus, “ambicie të tepruar dhe interes personal”. Me rritjen e popullaritetit të tij që kërcënonte të minonte monopolin e Putinit në vëmendjen e vendit, Prigozhin thjesht u bë shumë i fuqishëm për t’u lënë i pakontrolluar.
Plani i Putinit për ta sjellë Wagnerin nën komandën e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Mbrojtjes përbënte një humbje serioze të ardhurash për Prigozhinin, i cili bashkëthemeloi milicinë private në 2014. Firma e kateringut e Prigozhinit gjithashtu thuhet se fitonte 80 miliardë rubla (920 milionë dollarë) në vit duke furnizuar me ushqime ushtrinë. Në një goditje jo dhe aq të mbuluar ndaj interesave të biznesit të Prigozhinit pas përfundimit të rebelimit, Putin tha se ai shpresonte që “askush të mos vidhte asgjë, ose të paktën të mos kishte vjedhur shumë”.
Regjimi i Putinit është karakterizuar nga privatizimi i sovranitetit kombëtar. Ushtritë private si Ëagner, të cilat merrnin 1 miliard dollarë në vit nga buxheti i shtetit, kanë qenë pjesë përbërëse e sistemit të Putinit dhe lufta në Ukrainë ka nxitur formimin e forcave mercenare shtesë. Edhe konglomerati shtetëror i gazit Gazprom ka formuar një batalion privat, duke rekrutuar rojet e veta të sigurisë për të luftuar në Ukrainë dhe për të ndihmuar në sigurimin e sundimit të Putinit në këmbim të përfitimeve.
Këto njësi paraushtarake i ofrojnë Putinit një mënyrë për të përmbushur kërkesat e ushtrisë për personel, pa vuajtur koston politike penguese të një mobilizimi tjetër. Aksioni i mëparshëm i rekrutimit, i nisur në fund të vitit 2022, bëri që qindra mijëra burra rusë të largoheshin nga vendi.
Rrjedhimisht, fusha e betejës në Ukrainë është bërë një terren pjellor për kompanitë ushtarake private. Prigozhini ndoshta ishte po aq i acaruar nga kjo konkurrencë në rritje, sa edhe nga rivaliteti i tij i ashpër me lidershipin ushtarak të Rusisë, veçanërisht ministrin e mbrojtjes Sergei Shoigu dhe Valery Gerasimov, shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Ndërsa përpjekja e luftës e Rusisë në dukje udhëhiqet nga ushtria, kryekomandantët e luftës si Prigozhini dhe lideri çeçen Ramzan Kadyrov janë bërë gjithnjë e më të spikatur falë qasjes së tyre të drejtpërdrejtë me Putinin.
Pavarësisht mungesës së ndonjë kërcënimi real ndaj sundimit të tij, Putini ka pak për të festuar. Rebelimi i Prigozhinit, së bashku me faktin poshtërues se u kërkua ndërmjetësimi i presidentit bjellorus Aleksandr Lukashenko për t’i dhënë fund, shënon pikën më të ulët të sundimit të tij të gjatë. Për më shumë se dy dekada, Putin ka privatizuar pjesë të ndryshme të qeverisë, duke krijuar një klasë të ngushtë përfituesish jashtëzakonisht të pasur dhe politikisht besnikë. Me autoritetin e tij të vënë hapur në pikëpyetje, është e qartë se kjo strategji ka dështuar.
Për më tepër, rebelimi i Prigozhinit, për të cilin Putin thotë se e shtyu vendin në “prag të një lufte civile”, ka të ngjarë të shkatërrojë perceptimin e idealizuar të publikut rus për ushtrinë e tyre si një forcë heroike të bashkuar kundër një armiku të përbashkët. Me fatin e tij tani të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me aftësinë e gjeneralëve të tij për të shmangur humbjen në Ukrainë, imazhit të Putinit si një car i plotfuqishëm i është dhënë gjithashtu një goditje mundësisht vendimtare.
Fakti që mercenarët e Prigozhinit arritën të pushtonin qytetet kryesore dhe selitë ushtarake pa rezistencë, nxori në pah atë që vëzhguesit e informuar tashmë e dinin: “perandoria” ruse është një entitet jofunksional, i përhapur dhe i shpërndarë në territore të gjera të banuara nga qindra grupe etnike, disa prej të cilave janë të vetëqeverisur. Shtrirja e saj, një burim krenarie kombëtare, është gjithashtu një dobësi.
Pavarësisht përpjekjeve të tij më të mira, Putin duket i paaftë për të sfiduar një ligj të hekurt të historisë: të gjitha perandoritë duhet të bien. Ëndrrat e tij të mëdha dhe jorealiste për madhështinë perandorake – dhe vajtimi i tij për “goditjen që mori Rusia në 1917” – mund të kenë mashtruar popullin rus, por regjimi i tij mbështetet në aleanca të vështira midis elitave thellësisht të korruptuara civile dhe ushtarake. Ndërsa një pjesë e këtij korrupsioni mund të gjurmohet deri në kohën e Bashkimit Sovjetik, Putini e ka përkeqësuar problemin duke kultivuar rrjetin e tij të klientelizmit dhe nepotizmit.
Në mënyrë paradoksale, shfaqja e habitshme e paaftësisë ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe paqëndrueshmëria e saj e brendshme politike ka të ngjarë të mos ndikojë në dinamikën në fushën e betejës ose në ekuilibrin më të gjerë gjeopolitik. Izolimi i Putinit vazhdon, por ai ruan aleancat e tij me Kinën dhe Iranin dhe ende mund të përdorë qëndrimin neutral të Indisë ndaj luftës. Dhe partneriteti i tij me Arabinë Saudite mbetet i paprekur.
Ngjarjet e fundit padyshim që kanë dëmtuar moralin tashmë të ulët të ushtrisë ruse. Ndërsa Andrey Kartapolov, kreu i komitetit të mbrojtjes të parlamentit rus, e përshkroi shpërbërjen e Wagner si një “dhuratë” për NATO-n dhe Ukrainën, ushtria ruse nuk është e thënë ta humbasë luftën. Putini, në fund të fundit, ka nën kontroll arsenalin më të madh bërthamor në botë. Dhe, duke pasur parasysh perceptimin e tyre për konfliktin në Ukrainë si një betejë ekzistenciale, Putini dhe rrethi i tij i brendshëm nuk ka gjasa ta pranojnë humbjen. Deri tani, Putini e ka braktisur plotësisht personazhin e tij të mëparshëm si një diplomat mendjemprehtë që përpiqet të pajtojë ambiciet e Rusisë me ndjeshmëritë perëndimore, duke u shndërruar në një avokat pothuajse vetëvrasës të revanshizmit antiperëndimor.
Pavarësisht nga rezultati, kjo nuk është një luftë e lavdishme për Rusinë. Veprimet e Prigozhin kanë nxjerrë në pah paqëndrueshmërinë politike të vendit dhe kanë nënvizuar pasojat potencialisht të rënda të një disfate ruse. Një vakum pushteti në Moskë do të kishte implikime të gjera në të gjithë Rusinë.
Gjashtëmbëdhjetë muaj pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, kushtet në terren ngjajnë me frontet e ngrira dhe të bllokuara të Luftës së Parë Botërore. Të gjithë shpresojnë të mund të negociohet një armëpushim pasi kundërofensiva ukrainase të ketë përfunduar vrullin e saj. Por siç janë punët, konflikti duket i destinuar të evoluojë në një tjetër mosmarrëveshje të zgjatur kufitare, me zgjidhjen që kërkon ndryshime të rëndësishme politike. Nëse ndodhin ndryshime të tilla, ato ka shumë të ngjarë të jenë po aq të papritura sa kryengritja e fundjavës e Prigozhinit.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Prigozhin Is a Symptom