Asnjë zhvillim gjatë 23 viteve në pushtet të Vladimir Putinit nuk ka treguar aq qartë për brishtësinë e regjimit të tij sa kryengritja e ndërprerë e Grupit Wagner më 24 qershor. Mercenarët e Grupit Wagner, të udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin, sfiduan autoritetin e Kremlinit dhe tani duket se ia kanë hedhur paq për këtë. Shërbimi i Sigurisë së Brendshme të Rusisë, FSB, ka hequr dorë nga hetimi i tij penal për revoltën. Por problemet e Putinit zor se përfundojnë me Wagner-in.
Luftëtarët e Prigozhinit nuk do të kishin qenë në gjendje të të bënin pothuajse një mijë kilometra (621 milje) rrugë brenda territorit rus në më pak se një ditë pa ndihmën e anëtarëve të rrethit të brendshëm të Putinit ose ushtrisë. Thashethemet po qarkullojnë se vëllezërit miliarderë Yuri dhe Mikhail Kovalchuk mund të kenë luajtur një rol në këtë. Kovalchukët, bashkëpunëtorë të ngushtë të Putinit, thuhet se ndajnë besimin e Prigozhinit se Rusia nuk ka qenë mjaft e fortë në luftë ose në konfrontimin e saj më të gjerë me Perëndimin.
Një tjetër bashkëpunëtor i mundshëm është gjenerali Sergei Surovikin. Ashtu si Prigozhini, Surovikini thuhet se ka mbrojtur një përpjekje lufte shumë më brutale sesa Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu duket i gatshëm të bëjë. Që nga rebelimi, ai nuk është parë në publik dhe thuhet se “po pushon”.
Një duzinë apo më shumë figura të tjera të larta ushtarake janë pezulluar ose hequr në pritje të hetimeve të mëtejshme. Dhe nuk është vetëm përfshirja e mundshme në rebelim që po i i pushon njerëzit nga puna: Gjenerali Ivan Popov, një komandant i lartë në Ukrainë, u shkarkua pasi kritikoi lidershipin e lartë të ushtrisë për sjelljen e tyre në luftë.
Ndërkohë, luftëtarët e Grupit Wagner nuk po përballen me asnjë ndëshkim. Ata thjesht pritet të zhvendosen në Bjellorusi ose të vazhdojnë të luftojnë për Rusinë, por nën një komandant tjetër. Prigozhini nuk është dëbuar nga vendi, siç gjasme kërkonte marrëveshja për t’i dhënë fund “marshimit të tij drejt Moskës”. Ai është parë në Shën Petersburg dhe Moskë, ku ai dhe dhjetëra komandantë të Grupit Wagner u takuan fshehurazi me Putinin më 29 qershor.
Dikush mund të argumentojë se ky rezultat pasqyron statusin e paqartë të Grupit Wagner në Rusi, ku organizatat ushtarake private janë teknikisht të paligjshme. Para pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia vitin e kaluar, Prigozhini mohoi se Grupi Wagner të ishte një ushtri private. Siç vuri në dukje Putin së fundmi, Grupi Wagner “ekziston”, por jo si “entitet juridik”. Ka “një grup”, por ligjërisht “nuk ekziston”.
E megjithatë, në një takim me stafin ushtarak rus më 27 qershor, Putin zbuloi se vetëm vitin e kaluar, forcat e Grupit Wagner morën 86 miliardë rubla (pothuajse një miliardë dollarë) nga shteti rus për shërbimet e tyre. Nëse luftëtarët kryengritës janë në listën e pagave të shtetit, atëherë ata duhet të gjykohen në gjykatë, jo të falen.
Mosndëshkimi për Grupin Wagner është edhe më i ashpër në një kohë kur rusët e zakonshëm jetojnë në një shtet policor pothuajse totalitar. Çdo kritikë e luftës në Ukrainë – edhe thjesht shprehja e dyshimit për arsyetimin e saj ose sugjerimi se nevojiten përpjekje për të arritur paqen – mund ta çojë një person në burg ose të cilësohet si “agjent i huaj”. Në ditët e sotme, rusët guxojnë të bëjnë pyetje për luftën vetëm privatisht.
Putini duket se shpreson se ai mund të mbështetet tek e folura me dy kuptime për t’i mbajtur rusët të heshtur për qasjen e tij ndaj Grupit Wagnerit. Ashtu si në epokën sovjetike, rusët po urdhërohen të besojnë idetë që kundërshtojnë drejtpërdrejt njëra-tjetrën dhe tregimet historike pa bazë në realitet. Harrojeni njohurinë, kujtesën ose përvojën tuaj – lideri suprem e di më mirë.
Pra, propagandistët në çdo kanal televiziv i kanë kaluar javët e fundit duke kundërshtuar tradhtinë e Prigozhinit dhe duke luajtur me potencialin katastrofik të rebelimit. Në këtë mënyrë, rusët do të ndihen të lehtësuar që u arrit një marrëveshje dhe u shmang gjakderdhja. Por në ditët pas kryengritjes – të cilën Putini e kishte quajtur “tradhti” – ekspertët spekuluan pa pushim për llojin e ndryshimeve që Prigozhini do të duhej të bënte për të shmangur dënimin e ashpër. Në fund të fundit, Putini nuk njihet si një lider që fal.
E megjithatë Putini kohët e fundit ofroi mundësi punësimi për luftëtarët e Grupit Wagner, të cilët ai pretendon se “luftuan me dinjitet”, por, për fat të keq, u “tërhoqën” në kryengritje. Ai madje do t’i lejonte ata të vazhdonin të luftonin si një grup, shpjegoi ai së fundmi, megjithëse jo nën drejtimin e Prigozhinit. Pra, nëse Prigozhini është ende një armik, pse ai endet i lirë në tokën ruse? Pse u ftua ai pikërisht në takimin në Kremlin ku Putini u bëri këtë ofertë luftëtarëve të tjerë të Grupit Wagner?
E folura me nënkuptime nuk mund të errësojë pyetje të tilla. Në fakt, mënyra se si Putini e trajtoi kryengritjen e Grupit Wagnerit tregon vetëm dobësinë e tij. Sjellja e fundit e elitave ruse e mbështet këtë pikëpamje. Pas shkarkimit të Popovit, Andrei Gurulev, një anëtar i parlamentit rus, publikoi opinionet e gjeneralit, të cilat, me sa duket, ndahen edhe nga të tjerët në ushtri. Në Rusinë e Putinit – veçanërisht që nga shkurti 2022 – shprehje të tilla mosmarrëveshjeje nuk duhen nënvlerësuar.
Pakënaqësia me lidershipin e Putinit nuk kufizohet vetëm tek zyrtarët rusë. Sondazhet e fundit tregojnë se 53% e rusëve janë të etur të kërkojnë paqen, krahasuar me 45% që ishte në maj.
Duke pasur parasysh presionin ndaj publikut për të mos kritikuar luftën, shifra reale mund të jetë më e lartë. Për më tepër, 86% e publikut refuzon përdorimin e armëve taktike bërthamore kudo.
Në fakt, vlerësimi i miratimit të Putinit mbetet i lartë, 81%, dhe ka pak vend për protestë. Por mund të jetë vetëm çështje kohe derisa kjo të ndryshojë. Ndërsa rritesha në Bashkimin Sovjetik, ne të gjithë e lavdëronim publikisht lidershipin e Leonid Brezhnev, pavarësisht se e dinim që kjo nuk ishte e vërtetë. U deshën disa vite dhe disa liderë për të arritur te Mikhail Gorbachev, por arritëm atje. Po kështu, rusët mund të kenë frikë të flasin sot, por dobësia e Putinit – dhe të çarat në sistemin që ai ndërtoi me kaq përpikëri – janë të pagabueshme.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Russia’s Fractured State