June 13

Komisioneri Publik ankimon vendimin për prokurorin Urim Buci

0  comments

Komisionerja Irena Nino i kërkoi të martën Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të shqyrtojë edhe një herë çështjen ndaj prokurorit të Dibrës Urim Buci dhe të vendosë shkarkimin e tij. Në ankimin e paraqitur dhe mbështetur kryesisht në qëndrimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Nino thotë se “subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë”.

Ankimi është i bazuar kryesisht në gjetjet mbi kriterin e pasurisë dhe është i fokusuar në marrëdhënien e qirasë me Bashkinë e Kamzës dhe një godinë banimi 3+1 kate.

Urim Buci u konfirmua me shumicë votash më 27 prill 2023, ndërkohë që tre çështje penale të hetuara prej tij u transferuan për inspektim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Gjatë seancës dëgjimore më 25 prill u relatua se prej hetimit paraprak konstatohej pamundësi e Bucit për ndërtimin e një banese para fillimit të detyrës, pasi nuk ishin vërtetuar të ardhurat nga emigracioni. Por në përfundim të procesit të rivlerësimit të këtij subjekti, shumica e trupës së KPK e përbërë nga kryesuesja Pamela Qirko dhe relatorja Alma Faskaj konkluduan se Buci kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe figurën, si dhe nivel kualifikues në aspektin profesional.

Anëtarja Xhensila Pine doli në pakicë duke çmuar se subjekti ka mungesë koherence në deklarimet “veting”, ato periodike si dhe gjatë hetimit administrativ lidhur me investimin e kryer në një godinë banimi tre kate + papafingo. Pine e cilëson këtë situatë si përpjekje të Bucit për të deformuar të vërtetën në funksion të paraqitjes së të dhënave lidhur me justifikimin e burimeve të ligjshme të kësaj pasurie të tij. Ajo po ashtu pretendon se është provuar se Buci është ndodhur në kushtet e konfliktit të interesit në hetimin e dy çështjeve ku palë ka qenë një shtetas me të cilin kishte kryer më parë një udhëtim si dhe në lidhjen e një kontrate qiradhënie me Bashkinë Kamëz.

Pas vendimit Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM i rekomandoi Institucionin e Komisionerëve Publikë të ankimojnë vendimin e konfirmimit në detyrë të Prokurorit të Dibrës, Urim Buci, duke e konsideruar arsyetimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për pasuritë të gabuar dhe të pasaktë.

“Pasoja përfundimtare befasuese ishte se subjekti u konsiderua se kishte arritur standardet e kërkuara për t’u konfirmuar në aspektet e vlerësimit të pasurisë, gjë që nuk duhej të ishte kështu”, thekson ONM në rekomandim dhe i konsideron pretendimet e subjektit deklarative.

Bazuar në këtë rekomandim edhe Komisioneri Publik, kërkon shkarkimin e Bucit në Kolegj. Komisioneri vë në dukje se sa i përket godinës 3 kate + 1 kat papafingo “subjekti i rivlerësimit ka qenë kontradiktor duke referuar vlera të ndryshme për investimin e kryer”.

Komisioneri Publik po ashtu vlerëson se Buci gjendet në konflikt interesi sa i përket kontratës së qirasë me Bashkinë Kamëz. “Ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit dhe ndalimit për të përfituar të mira, fonde publike nga kontratat publike, rrethanë, e cila duhet të merret për bazë në vlerësimin tërësor të rastit”, thuhet në ankim.  Në fund Komisionerja Nino, shprehet se i kërkon kolegjit të ndryshojë vendimin dhe të shkarkojë Bucin.


Tags

Bashkia Kamëz, emigracion, Irena Nino, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisioneri Publik, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, pasuria, Prokurore, Prokuroria e Rrethit Dibër, Urim Buci


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350