Prokurorja Mirela Zavalani e Prokurorisë së Tiranës u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të enjten në 15 qershor. Trupa e përbërë nga Olsi Komici, Xhensila Pine dhe Lulzim Hamitaj, vendosi pas një seance dëgjimore pa probleme të konfirmojë në detyrë Zavalanin.
Në rastin e prokurores së Prokurorisë së Tiranës, Mirela Zavalani gjetjet e hetimit administrativ të KPK-së, të bëra publike gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të martën, u fokusuan kryesisht tek pasuria e vjehrrit të subjektit dhe ndarja e qirasë së paguar nga kunati – në një objekt në pronësi familjare, midis bashkëshortit të saj dhe të babait të tij.
Mirela Zavalani e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si oficere e policisë gjyqësore. Ajo u emërua prokurore në vitin 2007 dhe ka punuar në Prokurorinë e Rrethit Lezhë deri në vitin 2012. Prej më shumë se një dekade, Zavalani e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Tiranë.