Procesi i rivlerësimit kalimtar ka për qëllimin kontrollin e magjistratëve bazuar në tre kritere, përfshirë pastërtinë e figurës, pasurinë dhe profesionalizmin.
Në rastin e prokurores së Prokurorisë së Tiranës, Mirela Zavalani gjetjet e hetimit administrativ të KPK-së, të bëra publike gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të martën, u fokusuan kryesisht tek pasuria e vjehrrit të subjektit dhe ndarja e qirasë së paguar nga kunati – në një objekt në pronësi familjare, midis bashkëshortit të saj dhe të babait të tij.
Ky trekëndësh transaksionesh financiare vjen si rrjedhojë e një banese dhe objekti komercial me sipërfaqe 635 metra katrarorë të ndërtuar nga vjehrri i Zavalanit mes vitit 1994 dhe 2006 në qytezën e Patosit.
Sipas analizës financiare të bërë nga KPK një pjesë e investimit e bërë përpara vitit 1998, kur subjekti i rivlerësimit nuk ishte martuar akoma, nuk mbulohet nga burime financiare.
Prokurorja i tha KPK-së se ishte në pamundësi objektive për të provuar të ardhurat e vjehrrit gjatë viteve 1990, pasi një pjesë e tyre kishin ardhura si pasojë e investimeve të tij në firmat rentiere Xhaferri dhe Gjallica, për të cilat ajo nuk kishte gjetur dokumentacion.
Burimet financiare gjatë viteve 2004-2006 dhe të ardhurat nga qiraja që kunati i paguante bashkëshortit të saj, u bënë pjesë e një secace të gjatë pyetje-përgjigje me relatorin e çështjes, Lulzim Hamitaj.
Ai u shfaq shumë i interesuar të informohej pse kunati i paguante qira bashkëshortit të subejktit dhe jo vjehrrit të saj, për përdorimin e objektit komercial në pronësi familjare.
I pakënaqur nga përgjigjet e subjektit Hamitaj riktheu të njejtën pyetje në forma të ndryshme disa herë, duke testuar durimin e dy anëtarëve të tjerë të trupës gjykuese, kryetarit Olsi Komici dhe anëtares Xhensila Pine.
KPK nuk ka konstatuar probleme për dy kriteret e tjera të rivlerësimit të prokurores Zavalani, profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës.
Ajo e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si oficere e policisë gjyqësore. Zavalani u emërua prokurore në vitin 2007 dhe ka punuar në Prokurorinë e Rrethit Lezhë deri në vitin 2012. Prej më shumë se një dekade, Zavalani e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Tiranë.
Ajo ka qenë së fundmi në qendër të vëmendjes publike, si pasojë e akuzave që prokurorja ka ngritur për ish-zyrtaren e Këshillit të Ministrave, Alda Klosi, u arrestua për pastrim pastrim parash pas denoncimit të vjedhjes nga pastruesja e saj të 120,000 eurove në ‘cash’.
Problemet me pasurinë
Hetimit administrativ i KPK-së ndaj Zavalanit ka filluar ex-oficio. Raporti për pasurinë e saj i dërguar në Komision nga Inspektoriati i Lartë i Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, ka konstatuar se deklaratat e saj nuk janë të sakta dhe ka mungesë burimesh për pasurinë e bashkëshortit.
Nga hetimit administrativ i pavarur i ndërmarrë nga KPK janë vënë nën lupë burimet financiare për një numër asetesh, përfshirë një apartament në Tiranë, një njësi tregtare me godinë banimi në Patos, disa automjete, llogari bankare si dhe 10,000 USD dhe 1 milion lekë kursime në cash.
Për apartamentin në lagjen Ali Demi në Tiranë, të blerë në vitin 2007 për 3.1 milionë lekë, KPK shprehet se bazuar në të dhënat e Entit Kombëtar të Banesave, EKB, çmimi është më i ulët se mesatarja e tregut dhe subjekti ka një mungesë burimesh financiare prej 70 mijë lekësh, duke i kaluar barrën e provës prokurores Zavalani.
Zavalani e kundërshtoi gjetjen e KPK-së duke theksuar se çmimi prej 97 mijë lekë për metër katror i përdorur nga Komisioni, ishte një mesatare e EKB-së për të gjithë Tiranën dhe jo për lagjen ‘Ali Demi’. Ajo pretendoi se çmimi për zonën ku ndodhej pallati në vitin 2012 ishte 71 mijë lekë për metër katror dhe në vitin 2016 ishte 78 mijë lekë për metër katror. Në mbështetje të argumentave të saj subjekti ka depozituar si prova disa kontra shitje-blerje të realizuara në këtë pallat.
Ndërsa vlera e pallatit në Tiranë mund të ngjajë e koklavitur, ajo nuk krahasohet me labirintin ku është futuar hetimi administrativ i KPK-së, në hetimin e një objekti në pronësi të familjes së bashkëshortit të subjektit në Patos.
Kjo njësi tregtare, plus objekt banimi është deklaruar fillimisht nga subjekti gjatë kokës që ka qenë oficere e policisë gjyqësore në vitin 2003. Sipas daklatës së saj periodike vjetore të dorëzuar në ILDKPKI për vitin 2003, ky objekt ka pasur një sipërfaqe 80 m2, plus dyqan dhe është ndërtuar në vitin 1998, për një vlerë të deklaruar 7 milionë lekë. Pas mbarimit të Shkollës së Magjistraturës nga Zavalani dhe fillimit të punës si prokurore në vitin 2007, ajo e ka deklaruar objektin me sipërfaqje 250 m2 dhe vlerë 250 mijë euro. Ndërkohë në deklaratën veting, i njejti objekt është deklaruar me sipërfaqe 635 m2.
E pyetur nga KPK gjatë hetimit adminstrativ, Zavalani ka deklaruar se për vlerën e objektit ajo ka deklaruar vlerën e tij me çmime tregu, ndërkohë për sipërfaqjen është bazuar në një vërtetim hipotekor të vitit 2007 dhe për deklaratën veting në aktin e kolaudimit të ndërtesës.
KPK theksoi se për historikun e këtij objekti është munduar të sigurojë të dhëna nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapsinor, por fotot për zonën mungojnë nga viti 2004 deri në vitin 2001. Bazuar në deklarimet e subjektit dhe kostot të EKB-së, KPK se ka përllogaritur se në fazën fillestare të investimit deri në vitin 1998, kjo pronë ka pasur një vlerë prej 8.6 milionë lekësh, për të cilat vjehrri i prokurores ka mungesë burimesh financiare me vlerë 4.5 milionë lekë.
KPK ka ngritur pyetje dhe ka pasur paqartësi në lidhje me një hua nga shtetasi I.Ç, e marrë në vitin 2003 nga vjehrri i subjektit, e depozituar në llogarinë e bashkëshortit të subjektit dhe e përdorur në vitin 2005 për investime në objektin në Patos.
Gjithashtu për vitet 2004 -2006, KPK ka konstatuar një mungesë burimesh financiare nga ana e subjektit për investimet e kryera në vlerë 1.4 milionë lekë. Mungesë burimesh janë konstatuar nga KPK edhe për kursimin në cash të 10,000 USD dhe 1 milionë lekë nga sujekti dhe bashkëshorti, për të cilat sipas analizës së Komisionit kanë pamundësi 1 milionë lekë.
Nga analiza financiare e të gjithë viteve KPK ka konstatuar një mungese financiare prej 3 millionë lekë, nga të cilat 2.2 milionë lekë në periudhën 2003-2007 dhe 700 mijë lekë në periudhën 2007-2016.
Nuk kam abuzuar si prokurore
Në shpjegimit e saj në seancë publike, Zavalani shpjegoi se huaja nga shtetasi I.Ç, e marrë nga vjehrri, ishte depozituar në llogarinë e bashkëshortit për siguri. Edhe pse ishte marrë në vitin 2003, investimi në ndërtesë ishte realizuar në vitin 2005, pasi pritej marrja nga vjehrri i një leje ndërtimi të re për objektin.
Zavalani tha se të ardhurat e bashkëshortit nge i vëllai, i cili i paguante qira për pjesën takuese në objektin në bashkëpronësi ishin 2.6 milionë lekë, ndërkohë që KPK i kishte njohur vetëm 50% të kësaj shume.
Ajo theksoi se për vlerën e investimeve në objektin në pronësi të familjes së bashkëshortit në Patos ajo kishte paraqitur prova që e nxirrnin koston më të ulët, duke i shkurtuar mungesën e burimeve financiare të konstatuar nga KPK në mënyrë të ndjehshme.
Prokurorja pranoi se kishte bërë disa gabime materiale në deklarimin e vlerave të makinave në periudhën që kishte qenë oficere e policisë gjyqësore, gabime që ajo i quajti si lapsuse njerëzore.
Ajo përfundoi duke thënë se pasurie e saj e vetme ishte apartamenti në pallatin në lagjen ‘Ali Demi’ në Tiranë dhe se pasuritë e tjera, shumica të vëna përpara martesës, ishin të personave të lidhur.
“Nuk kam abuzuar kurrë me detyrën si prokurore dhe kërkoj konfirmimin në detyrë,” tha ajo përpara trupës gjykuese në përmbyllje të seancës dëgjimore.
Trupi gjykues u tërhoq për vendim, i cili do të shpallet me datë 15 qershor në orën 9:45.