Prokurorja e Vlorës Vitjuna Mata u përball të premten më 16 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore ajo dha shpjegime të përmbledhura për pamundësitë e konstatuara në krijimin e pasurive të bashkëshortit.
Pasuritë siç doli në seancë ishin vënë kryesisht para fillimit të detyrës nga Mata dhe një pjesë edhe përpara lidhjes së martesës. Mata po ashtu dha shpjegime edhe për bilancin negativ të konstatuar në një gjendje cash, duke pretenduar se kishte arritur të kundërshtonte barrat e provës. Mata u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe për profesionalizmin.
Procesi i vetingut për prokuroren Vitjuna Mata po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Maria Tuma.
Vitjuna Mata përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2016 dhe u emërua si prokurore në Prokurorinë e Vlorës. Në janar të vitit 2022 ajo u komandua pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Relatori Komici parashtroi se ILDKPKI kishte konstatuar deklarime te pasakta dhe mungesë dokumentacioni ligjor për burimet pasurive.
Ai nuk relatoi probleme për një banesë me sipërfaqe 64 m2 në Durrës, pasuri që subjektit ia kanë dhuruar prindërit. Nga hetimi ka rezultuar se apartamenti është blerë nga prindërit e prokurores Mata në vitin 2006. Si burim krijimi subjekti janë deklaruar të ardhurat e prindërve dhe një vlerë që ata e kanë përfituar nga shitja e një banese tjetër në vitin 2003.
Ndërkohë, Komisioni i ka kaluar subjektit disa barra prove që kanë të bëjnë më së shumti me pasuritë e bashkëshortit të saj, të krijuara përpara fillimit të detyrës dhe përpara lidhjes së martesës.
Sipas Komicit, Matës i është kaluar barrë prove për pamundësi financiare në blerjen e një automjeti për çmimin 200 mijë lekë në 2013-ën, me burim të deklaruar dhurim nga bashkëshorti. Komisioni vëren se nuk janë provuar burimet financiare të bashkëshortit për dhurimin e shumës 200 mijë lekë.
Si burime për krijimin e një gjendje cash në vlerën 600 mijë lekë, subjekti ka deklaruar para Komisionit kursimet në masën 300 mijë lekë të krijuar para fillimit të detyrës nga bursa e Shkollës së Magjistraturës, pakësimin e një depozite rreth 200 mijë lekë dhe një overdraft 100 mijë lekë.
Si pasojë e mosdeklarimit në kohë reale të vlerave të tërhequra nga banka si burime për krijimin e gjendjes cash, KPK vlerëson paraprakisht se ato nuk mund të konsiderohen në analizën financiare. Megjithëse ka rezultuar mundësi financiare për krijimin e shumës 300 mijë lekë para fillimit të detyrës, KPK konstaton pamundësi për gjysmën e krijimit të shumës cash.
Në vijim relatori Komici u ndal në pasuritë e bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit. Nga hetimi i KPK ka rezultuar pamundësi e bashkëshortit të subjektit për blerjen e një dyqani në vitin 2014 kundrejt vlerës 70 mijë euro dhe për një depozitë në shumën rreth 2.2 milionë lekë, me të ardhura nga aktiviteti tregtar. Komici vërejti se megjithëse nga kontrolli i llogarive bankare ka rezultuar se bashkëshorti i Matës ka disponuar vlera të konsiderueshme, nuk është arritur të vërtetohet me dokumentacion ligjor burimi për një pjesë të atyre shumave.
Në seancë u relatua se subjekti ka sqaruar dhe dorëzuar dokumentacion për regjistrimin e aktivitetit privat të bashkëshortit dhe prindërve të tij që prej vitit 1991 me anë të një vendimi gjykate, si dhe regjistrimin pranë QKB-së në vitin 1992.
Nga analiza financiare paraprake e përgjithshme është konstatuar pamundësi financiare e subjektit para fillimit të detyrës në shumën 113 mijë lekë, si dhe bilanci negativ për gjendjen cash për shkak të moskonsiderimit të shumave të tërhequra nga depozita dhe ajo e përfituar me overdraft.
Prokurorja Vitjuna Mata falënderoi fillimisht Komisionin për hetimin administrativ të kryer ndaj saj. Ajo e cilësoi si lapsus mosdeklarimin e shtimit të kursimeve në vitet 2015-2016 me shumat e tërhequra nga depozita dhe overdrafti.
Lidhur me të ardhurat dhe pasuritë e bashkëshortit, ajo theksoi se ato ishin krijuar përpara martesës së lidhur në vitin 2015 dhe para se të fillonte ushtrimin e funksionit si prokurore. Subjekti vërejti se ishte përpjekur të gjente dokumentacion për të ardhurat e familjes së bashkëshortit për 32 vjet që ata vijonin të ushtronin aktivitet, por nuk kishte të dhëna për çdo vit.
Sipas saj, bashkëshorti dhe prindërit e tij nuk kishin pasur detyrim ligjor për të ruajtur dokumentacionin lidhur me të ardhurat. Mata kërkoi që në aplikim të parimit të objektivitetit dhe të proporcionalitetit bashkëshorti të mos konsiderohet si person i lidhur. Subjekti pohoi se ato janë pasuri vetjake të bashkëshortit të krijuara para lidhjes së martesës dhe se sipas Kodit të Familjes, ajo nuk kishte asnjë të drejtë mbi to.
Në përfundim, prokurorja Vitjuna Mata kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 20 qershor, në orën 10:00.