June 13

Rama anulon mbledhjen me qeverinë e Kurtit, BE sinjalizon sanksione

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi të martën në mbrëmje se një mbledhje e përbashkët mes qeverisë së tij dhe qeverisë së Kosovës, e planifikuar për t’u zhvilluar në qytetin e Gjakovës të mërkurën, nuk do të zhvillohet. Njoftimi i papritur duket se shënon një thellim dramatik të mosmarrëveshjes mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, diçka shumë e pazakontë mes dy vendeve që flasin të njëjtën gjuhë.

Rama bëri të ditur gjithashtu se para se të marrë vendimin e anulimit, kishte diskutuar me shefin e diplomacisë Evropiane Joseph Borrell dhe dha lajmin se Kosova pritet të përballet me sanksione, për shkak të refuzimit të qeverisë së Kosovës për të lëshuar më shumë nga sovraniteti i vendit për minoritetin serb atje.

“Ndjesë për këtë orë të pazakonshme, por është një komunikim i jashtëzakonshëm, i cili lidhet me takimin e nesërm të dy qeverive në Gjakovë,” deklaroi Rama me zë të zymtë.

“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar,” shtoi ai.

Rama shpjegoi më tutje se ai kishte menduar për zhvillimin e një mbledhjeje më të vogël dhe të mbyllur, gjë që është refuzuar nga Kurti, i cili ka kërkuar që mbledhja të bëhej siç ishte parashikuar.

Mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive janë zhvilluar rregullisht që nga viti 2013 dhe në përgjithësi kanë prodhuar spektakle nacionaliste pa shumë përmbajtje. Kjo është hera e parë që një mbledhje e planifikuar e tillë, anulohet.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti hyri në konflikt me partnerët ndërkombëtarë pasi refuzoi një plan të mëhershëm për krijimin e një organi të ri ligjor në Kosovë, të quajtur Asosacioni i Komunave Serbe, e cila duhet t’i japë efektivisht autonomi më të madhe komunave të banuara në shumicë nga shtetas të Kosovës me kombësi serbe. Shumë kanë frikë se një institucion i tillë do të krijojë efektivisht një entitet të ngjashëm me Republikën Srbska në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke cënuar funksionalitetin afatgjatë të shtetit të Kosovës dhe duke i mohuar Prishtinës kontroll efikas mbi territorin.

Kryeministri shqiptar njoftoi javën e kaluar se ai ka një propozim të përgatitur nga një grup ekspertësh të nivelit të lartë për të zgjidhur problemin, propozim që nuk është bërë publik, por që për të cilin, Rama thotë se është shumë i mirë.

Kryeministri i Kosovës iu përgjigj propozimit të Ramës të martën duke sugjeruar se ai mund të jetë i vlefshëm për t’u propozuar si zgjidhje për shqiptarët që jetojnë në territorin e Republikës së Serbisë.

“Nuk kam dyshim se Edi Rama beson që propozimi i tij është i mirë. Duke qenë kështu, unë propozoj që Rama këtë draft-statut t’ia propozojë Vuçiqit më së largu në takimin e radhës të Ballkanit të hapur për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë”, deklaroi Kurti, duke i rikujtuar Ramës se në Shqipëri, një nen kushtetues parashikon që “Republika e Shqipërisë mbron shqiptarët jashtë kufijve të saj”.

“Në vend që të propozohet për serbët në Kosovë, le të propozohet për shqiptarët në Luginë”, deklaroi Kurti duke hedhur poshtë në këtë mënyrë propozimin e Ramës.

Ndërkohë, Radio Evropa e Lirë bëri të ditur se burime diplomatike nga BE e kanë informuar për një paketë masash ndëshkuese kundër qeverisë së Kosovës, ku parashikohet ndalimi i vizitave të ndërsjella të nivelit të lartë dhe moslëshimi i ftesave për zyrtarët e Kosovës për aktivitete të ndryshme diplomatike. [Link]


Tags

Albin Kurti, Edi Rama, Shqipëri - Kosovë


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350