July 20

Rikthimi i zgjerimit të BE-së

0  comments

Sado e çuditshme që tingëllon, politika më e suksesshme e Bashkimit Evropian s’ka qenë kurrë kaq e papëlqyeshme në Bruksel dekadën e fundit. Por tani, këndvështrimi nga institucionet politike dhe qeverisëse të bllokut po ndryshon. Zgjerimi i BE-së është kthyer në axhendë dhe do të mbetet aty.

Zgjerimi dhe evoluimi i BE-së ka ndryshuar rrënjësisht Evropën. Blloku është rritur nga gjashtë anëtarë në 27 anëtarët aktualë. Ndërsa fillimisht kishte për qëllim të lehtësonte pajtimin franko-gjerman në mesin e shekullit të njëzetë, ai shpejt u bë një mjet për sigurimin e demokracisë në Evropën Jugore pas rënies së diktaturave në Greqi, Portugali dhe Spanjë. Dhe më pas, pas rënies së komunizmit, zgjerimi i BE-së transformoi rrënjësisht pjesën më të madhe të Evropës Qendrore dhe Lindore.

BE-ja ia detyron prosperitetin e saj tregut të saj të madh të brendshëm, ku njerëzit, mallrat, idetë dhe kapitali mund të lëvizin lirshëm dhe ku shumë kufij dhe barriera të vjetra janë zhdukur gradualisht. Zgjerimi dhe integrimi evropian nuk kanë qenë gjithmonë të lehta dhe as procesi nuk është i plotë. Por ka qenë një sukses monumental, në përgjithësi.

Por zgjerimi rrallë ka qenë popullor. Brenda flluskave politike të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, ka pasur gjithmonë murmuritje për sfidat institucionale, problemet buxhetore dhe përçarjet e status quo-së.

Ankesa të tilla – të cilat janë bërë jehonë nga disa shtete anëtare kyçe – ndihmojnë për të shpjeguar pse procesi i zgjerimit të BE-së ngeci rreth një dekadë më parë. Anëtari i fundit i ri që u pranua ishte Kroacia, në vitin 2013. Ndërkohë, pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor është lënë jashtë, pavarësisht ftesës zyrtare që morën dy dekada më parë (duhet të pranohet se disa prej tyre nuk kanë qenë veçanërisht të dobishme në avancimin e anëtarësimit të tyre).

Por tani, lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka ndryshuar situatën. Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE vetëm disa ditë pas pushtimit dhe BE-ja njohu statusin e saj si vend kandidat në një kohë rekord. Ajo që më parë kishte qenë e paimagjinueshme, befas u bë një domosdoshmëri strategjike. Pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në qershor 2024, Komisioni i ardhshëm Evropian pritet ta bëjë zgjerimin një nga prioritetet e tij kryesore.

E vërtetë, ky ndryshim vjen me rreziqe. Procesi i pranimit të Ukrainës mund të përfundojë në ngërç,siç ndodhi me procesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor pas luftërave post-jugosllave të viteve 1990. Megjithatë, ka një arsye të mirë për të menduar se këtë herë është ndryshe. Në fund të fundit, dështimi për të futur Ukrainën në grup do të rrezikonte sigurinë evropiane dhe do të përbënte një katastrofë strategjike për BE-në.

Por anëtarësimi në BE nuk është një çështje e thjeshtë. Ai përfshin bisedime të gjata dhe të detajuara që më së miri kuptohen si një dorëzim i negociuar ndaj të gjitha rregullave dhe rregulloreve të përfshira në 35 kapitujt e acquis communautaire. Procesi është i lodhshëm, i ndërlikuar dhe i pashmangshëm. Nuk ka rrugë të shkurtër. Vendet që u bashkuan pas gjashtë anëtarëve fillestarë negociuan për një mesatare prej katër vjetësh. Ndërsa Finlanda dhe Suedia i mbyllën të gjithë kapitujt në një rekord prej dy vitesh, Portugalisë dhe Spanjës iu deshën secila rreth gjashtë vjet, për shkak të komplikimeve në lidhje me politikat e tyre bujqësore.

Komisioni Evropian tani po vlerëson se cili duhet të jetë hapi i ardhshëm, me një raport që pritet të dalë në tetor. Nëse rekomandon ecjen përpara me negociatat e pranimit dhe nëse Këshilli Evropian pranon ta bëjë këtë kur të takohet në dhjetor, bisedimet me Ukrainën dhe Moldavinë mund të fillojnë diku në vitin 2024. Dhe nëse kjo ndodh, ka një shans që negociatat të përfundojnë brenda mandatit të ardhshëm pesëvjeçar të Komisionit.

Por pengesat janë të shumta. Ukraina duhet të mbështesë vrullin e saj të reformave dhe BE-së do t’i duhet të menaxhojë çështjet e ndryshme institucionale dhe sfidat buxhetore që vijnë me zgjerimin. Me përgatitje, këto duhet të kapërcehen. Aderimi i Spanjës në 1986 dhe i Polonisë në 2004 kërkonte periudha të gjata tranzicioni dhe menaxhim të kujdesshëm të çështjeve të ndjeshme, por që të dyja ia dolën përfundimisht.

Nga ana e saj, Ukraina është gjeografikisht e madhe, por e vogël në shumë mënyra të tjera. Për sa i përket popullsisë, ajo është dukshëm më e vogël se Mbretëria e Bashkuar (e larguar së fundmi), por afër Polonisë dhe Spanjës. Megjithatë, ekonomia e saj është dukshëm më e dobët. Edhe para luftës, PBB-ja e saj për frymë ishte më pak se një e treta e mesatares së BE-së. Që nga pushtimi, ajo ka humbur afërsisht edhe një të tretën më shumë. Kështu, përfshirja e Ukrainës në BE do të përbënte një barrë të konsiderueshme buxhetore, duke nënvizuar nevojën për përgatitje të mjaftueshme dhe vullnet politik.

Teksa shohim përpara, nisja e negociatave të pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë mund të çojë gjithashtu në thirrje për rinisje të bisedimeve me vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëse ky ngërç kapërcehet, BE-ja papritmas mund të jetë në rrugën e duhur për të përfshirë 35 shtete anëtare brenda një dekade.

Vlen të kujtohet se valët e mëparshme të zgjerimit janë shoqëruar gjithmonë me frikën e dobësimit të BE-së. Megjithatë, gjithsesi, blloku është bërë më i fortë. Ndërsa BE-ja është zgjeruar, ajo është bërë më me peshë dhe më e rëndësishme në skenën botërore. Nuk ka asnjë arsye për të menduar se shtimi i anëtarëve të rinj sot do të jepte një rezultat të kundërt. Por procesi duhet të menaxhohet me kujdes për të mbështetur parimet dhe standardet evropiane. Mënyra se si do të trajtohet faza tjetër e zgjerimit të BE-së do të përcaktojë fatin e Evropës për dekadat e ardhshme.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Return of EU Enlargement


Tags

anetaresim, Ballkani Perendimor, BE, Komisioni Evropian, Ukraina, zgjerim


You may also like

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Forma e kontaktit

Name*
Email*
Message
0 of 350