Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të premten më 30 qershor zgjedhjen si kryetar të ri të këtij institucioni, gjyqtarin Sokol Çomo. Në njoftim shpjegohet se Çomo është zgjedhur në mënyrë unanime pas votimit të fshehtë që është zhvilluar në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
KPA sqaron se Çomo do ta fillojë ushtrimin e detyrës më datë 27 korrik, kur mbaron mandati kryetares në detyrë, gjyqtares Albana Shtylla, e zgjedhur tre vjet më parë. Kur KPA u krijua gjashtë vjet më parë, kryetare e këtij institucioni u zgjodh Natasha Mulaj.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b, Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjit nr. 84 /2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, rregullores “Për veprimtarinë e Kolegjit të Apelimit të Gjykatës Kushtetuese”, si dhe rregulloreve të tjera të miratuara. KPA ka një mandat 9-vjeçar dhe shqyrton ankimet e depozituara nga institucioni i Komisionerëve Publikë apo subjektet e rivlerësimit, ndaj vendimarrjeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Vendimet e Kolegjit janë përfundimtare.